Home Biznes Tregu - Konkurenca “Autogoli” i Mimozës, 20 milionë € dëmtim i buxhetit

Marrëveshja për Tregti të Lirë (MTL) me Turqinë, të cilën ditë më parë e nënshkroi ministrja, Mimoza Kusari-Lila, dhe ministri i Ekonomisë i Turqisë, Zafer Caglan, do ta dëmtojë buxhetin e Kosovës hiç më pak se 20 milionë euro në vit.

Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri” brenda Doganave të Kosovës, sipas të cilëve, kjo marrëveshje në aspektin buxhetor është “autogol” për vendin.

“Turqia eksporton mallra në Kosovë rreth 200 milionë euro në vit, përderisa eksporti i Kosovës atje sillet rreth 8 milionë euro. Me këtë marrëveshje, dëmet në buxhetin e Kosovës arrijnë shifrën prej rreth 20 milionë euro”, bëjnë të ditur burimet e gazetës, sipas të cilëve, përfitues kryesor nga kjo marrëveshje është tregtia turke.

Kjo MTL me Turqinë vlerësohet gjithashtu se do t’i dëmtojë rëndë prodhuesit vendorë, të cilët vështirë se do të përballen me konkurrencën e kompanive turke që do të mundë të sjellin mallra në Kosovë pa iu nënshtruar taksës doganore.

Burim Piraj, drejtor i kompanisë “Meka”, pranon se në situatën në të cilën gjendet Kosova, çdo marrëveshje e tregtisë së lirë e pozicionon vendin si humbës.

Turqia, sipas tij, si një superfuqi botërore në prodhimin e disa artikujve vetëm sa do t’ia shtojë prodhuesve vendorë edhe një konkurrent tjetër të madh, i cili do t’i dëmtojë prodhuesit “e vegjël”.

Për produktet e tilla, Piraj thotë se marrëveshja nuk ka asnjë anë pozitive dhe në një situatë si kjo ku gjendet Kosova, çdo marrëveshje ekzistuese e tregtisë së lirë veç sa paralajmëron dobësimin e gjendjes ekonomike.

“Marrëveshja do të ketë ndikim jashtëzakonisht të madh, për shkak se produktet e mishit nuk janë eksportuar në Turqi dhe po ashtu nuk ka pasur as interesim prej palës turke për të bërë import nga Kosova.

Në momentin që produktet e njëjta nuk eksportohen në Turqi e në anën tjetër ne jemi dëshmitarë që produktet e mishit nga Turqia importohen në Kosovë, automatikisht prodhuesit vendorë do ta kenë edhe një konkurrent akoma më të madh”, thotë Piraj.

Bazuar në statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Turqia është eksportuesi i katërt më i madh në Kosovë, pas Serbisë, Italisë dhe Gjermanisë…(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri)

Related posts: