Home Lajme Skandali bankar mbërthen fushatën italiane

italia-monti-320x219Kryeministri i Italisë, Mario Monti, u tërhoq në një skandal mbi Bankën “Monte dei Paschi” të Sienën gjatë ditës së djeshme, kur ai deklaroi se nuk ishte faji i tij për humbjet e mëdha tregtare të pësuara nga kjo bankë.

Banka “Monte dei Paschi” ka sakaq nevojë për shpëtim nga falimenti me vlerë 3.9 miliardë dollarë, por këtë javë bëri të ditur se ka pësuar humbje nga tregtia me produkte derivative me vlerë 720 milionë euro, duke u kthyer kështu në qendër të fushatës elektorale për zgjedhjet që do të mbahen pak javë më vonë.

Duke përfituar nga lidhjet historike të kësaj banke me partinë e qendrës së majtë, si dhe me politikanët e ekstremit të majtë, të cilët janë në avantazh të fortë në sondazhe për zgjedhjet që do të zhvillohen më 24 dhe 25 shkurt. E djathta po akuzon aktualisht Montin se ka përdorur paratë e taksapaguesve për të shpëtuar bankën dhe rrjedhimisht, edhe politikanët e majtë.

“‘Monte dei Paschi’ është një rast më i rëndë sesa Parmalati. Ata u përpoqën të shpëtojnë bankën me një sasi të barabartë me atë që italianët paguajnë së bashku për taksën e shtëpisë”, deklaroi deputeti i qendrës së djathtë, Stefano Saglia.

Monti u përgjigj: “Nuk mendoj se ka ndonjë problem me mbikëqyrjen”. Duke folur në një konferencë për shtyp gjatë forumit ekonomik botëror të Davosit, ai shtoi se ishte i gatshëm ta diskutonte këtë çështje në Parlamentin e Italisë.

“Monte Paschi” është e tronditur nga mënyra sesi kjo situatë po përdoret nga politikanët për efekt të fushatës elektorale.

“Bordi [i bankës] është i trullosur nga fakti se në mënyrë kaq sipërfaqësore po trajtohet rikapitalizimi ynë”, thonë burime nga banka. Humbjet financiare të bankës thuhet se janë shkaktuar nga mungesa e mbikëqyrjes së duhur të aktiviteteve të saj nga ana e bankës qendrore. “Monte Paschi”, një nga bankat më të vjetra në Itali dhe në botë, është sakaq nën hetim për blerjen e shtrenjtë që pati bërë në vitin 2007, të rivalit të vet më të vogël, Bankën “Antonveneta”.

Banka ka emëruar një drejtor të ri ekzekutiv, Alessandro Profumo, i cili thotë se po bashkëpunon me bankën qendrore, duke ofruar dokumente që më parë qenë fshehur. Drejtuesit paraardhës të bankës mohojnë të kenë kryer veprime të paligjshme.

Qeveria e Italisë ka miratuar dhënien e një kredie me vlerë 3.9 miliardë dollarë për shëndoshjen financiare të kësaj banke, por kredia nuk është lëshuar ende. Aksionet e bankës ranë me 8 për qind gjatë ditës së djeshme, duke u shitur për 0.23 euro për njësi. Vlera tregtare e bankës aktualisht është 2.8 miliardë euro, një shifër më e vogël nga kredia që taksapaguesit italianë do të derdhin në të. Aksionet e bankës kanë rënë me një të pestën në më pak se një javë.

Humbja e fundit u shkaktua nga blerja e disa titujve që thuhet se janë lëshuar nga “JP Morgan”. Kjo e fundit refuzoi të flasë.

Similar articles