Home Lajme Kosova, bllokadë mallrave të Maqedonisë

Mimoza_Kusari_Lila_-_7

Prishtinë, 8 shtator- Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për bllokimin e të gjitha mallrave të Maqedonisë që janë të destinuara për Kosovën.

“Sonte nga mesnata (00:00), të gjitha mallrat nga Maqedonia, nuk do të lejohen që të hyjnë në Republikën e Kosovës, e që është një kundërpërgjigje ndaj vendimit të Maqedonisë”, ka thënë për “Epokën e re”, Kusari-Lila.
Ajo ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës, insiston që ky problem të zgjidhet sa më shpejt që është e mundshme. Kusari-Lila ka thënë se vendimi i Maqedonisë nuk ka të bëjë fare me marrëveshjen e CEFTA-s dhe sipas saj, ky vendim është marrë me motive të ndryshme.
“Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë nuk ka të bëjë fare me marrëveshjen e CEFTA-s. Ai vendim ka kaluar nga kontesti tregtar në kontest, i cili nuk duhet që të përfshinte lëvizjen e lirë të qytetarëve, të cilët duhet të paguajnë shuma të ndryshme parash, për të hyrë në Maqedoni”, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se ky vendim i shtetit të Maqedonisë, është në kundërshtim me të gjitha normat dhe parimet evropiane.

Zëvendëskryeministra, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka shprehur keqardhje për ata qytetarë të cilët sot është dashur të presin me orë të tëra në pikat kufitare të Maqedonisë.
“Na vjen keq që sot qytetarët e Kosovës janë detyruar që të paguajnë dhe të presin me orë të tëra në kufijtë e Maqedonisë”, ka thënë Kusari-Lila.

Qeveria e Maqedonisë nga sot ka filluar me aplikimin e taksës hyrëse për qytetarët e Kosovës si dhe mjeteve transportuese. Vendimi parasheh që nga dita e sotme të hyjnë në fuqi taksat, me ç`rast 2 euro do të paguajë çdo shtetas i Kosovës që hyn në Maqedoni, 5 euro çdo makinë dhe 20 euro kamionët dhe autobusët.

Similar articles